Mirësevini në "Në Formë me Aulonën"

Më në fund, projekti për të cilin kam kohë që punoj, por, për të cilin kam akoma edhe më shumë kohë që ëndërroj, është gati. Një website ku do të ndaj me ju, gjithë pasionin tim (i cili më shoqëron prej 16 vitesh tashmë) për aktivitetin fizik, për të ushyerin mirë, për të ndjerin mirë… për të jetuarin shëndetshëm. Tashmë shumë prej jush nuk më njohin më vetëm si Aulona gazetare apo Aulona moderatore, por edhe si Aulona influencer, ose Aulona e apasionuar pas palestrës dhe të jetuarit shëndetshëm. Mënyra ime e jetesës dhe pasioni i madh ndaj aktivitetit fiziki dhe fitness-i është shndërruar në një lifestyle, i cili prej kohësh frymëzon shumë prej jush. Deri tani i gjithë interaktiviteti ka qenë nëpërmjet faqes time të Instagramit. Nga sot do të jetë diçka më shumë, diçka më e madhe.
Në formë me Aulonën, është krijuar për ju! Për të gjitha ato vajza dhe gra, që më shkruajnë çdo ditë në Instagram dhe më kërkojnë këshilla se si të bëhen një version më i mirë i vetes së tyre: si të dobësohen, si të heqin dorë nga zakonet e këqija të të ushqyerit, si të heqin dorë nga jeta e plogësht, si të hanë shëndetshëm, si të jetojnë shëndetshëm, si të kenë më shumë vullnet, si t’i vënë qëllime vetes dhe t’i mbajnë ato, por mbi të gjitha si të dashurojnë personin që shohin sa herë që janë përball pasqyrës. Të jeni të sigurta që bashkë do t’ja arrijmë kësaj! Jam e lumtur që në kaq vite, unë kam qenë një burim frymëzimi, në forma të ndryshme, për shumë prej jush. “Në formë me Aulonën” nuk ka për qëllim vetëm t’ju bëjë të humbisni disa kile, më besoni që kjo është pjesa më e thjeshtë. Qëllimi kryesor këtu do të jetë t’ju bëjë të vlerësoni më shumë veten, ta respektoni më shumë atë, të investoni më shumë tek ajo, e mbi të gjitha ta doni më shumë. A nuk mendoni se kjo është diçka e mrekullueshme? Unë për vete po! Unë e di sa shumë nevojë keni për t’ja arritur kësaj. E di, nga mesazhet e shumta që marr prej shumë vitesh në rrjetet e mia sociale, nga vajza dhe gra të palumtura me veten e tyre, me trupin e tyre, por të pavendosura për të bërë ndryshimin që aq shumë dëshirojnë. Disa nuk e bëjnë sepse s’kanë mundësi, disa të tjera sepse nuk kanë vullnet, disa sepse nuk kanë informacion. Janë të shumta arsyet. Por kam një lajm të mirë për ju, nga sot, këto arsye nuk do të vlejnë më. Nga sot, të gjitha ju do të kuptoni që mundeni dhe jeni gati të bëni ndryshimin e madh! Jeni gati për të qenë versioni më i mirë i vetes tuaj, versioni që keni kohë që dëshironi!
Gjithmonë është një moment, një episod, një çast që bën ndryshimin. Tek mua ai moment ndodhi 16 vjet më parë, kur pasi kisha muaj që e evitoja peshoren elektronike, - shumë e ndërgjegjshme që gjithë sufllaqet e ngrëna pas shkolle, apo çokollatat dhe ëmbëlsirat me të cilat shoqëroja oraret e zgjatura të studimit gjatë darkës, po linin pasoja të dukshme në trupin tim, mora më në fund guximin dhe u peshova. 70 kg! Të them të drejtën u ndjeva kaq. Shumë keq. Unë nuk doja që ajo të ishte pesha ime. Nuk mendoja që 70 kg ishte pesha që duhet të kishte një 19 vjeçare, në kulmin e moshës dhe energjisë. Kishte kohë që ndihesha keq. Isha më e shëndetshmja mes shoqeve të mia. Pesha më ndikonte në zgjedhjen e veshjeve, ajo ndikoi edhe në zgjedhjen e fustanit të maturës, i cili përfundoi duke mos më pëlqyer fare dhe duke më prishur gjithë kënaqësinë e asaj mbrëmjeje. Do kisha dashur të vishja diçka të shkurtër, por nuk më pëlqenin këmbët e mia, të cilat i fshija gjithmonë me funde treçereksh, ose pantallona. Unë doja të ndihesha mirë me trupin tim. Doja të dashuroja atë. Dhe në ato kushte nuk po ja dilja dot. Prandaj ai moment kur pashë 70 kg në peshore, ishte momenti që ndryshoi gjithçka. Mjaftuan pak second për të marrë vendimin. Do filloja palestrën! Më besoni që këtu e 16 vjet më parë ky nuk ishte një vendim i lehtë për t’u marrë. Palestrat në atë kohë nuk ishin aq popullore sa sot, për më tepër që vajza rrallë shikoje në to. Ama kjo nuk ishte një arsye për t’u tërhequr. Më kujtohet si sot dita e parë. Vesha një palë tuta shumë, po shumë të gjera (ja mora babit) dhe një bluzë akoma më të gjerë. Më dukej sikur në këtë mënyrë do fshihja peshën time, gjithë difektet dhe pasiguritë e mia. Më besoni kur ju them që dita e parë në palestër është një tmerr për të gjithë. Nuk di nga t’ja fillosh, veglat të duken si gogol, ke përshtypjen sikur të gjithë po të shohin dhe po qeshin me ty. Është aq demoralizuese saqë mendon: Ok c’dua unë këtu? S’bën për mua! Dhe ky është gabimi i parë që bëhet, por që ne, këtu tek “Në formë me Aulonën”, nuk do ta lëmë të ndodhë. Ne nuk do t’ju lëmë të hiqni dorë, sepse, e para i kemi bërë gjërat e lehta për ju. E dyta, jemi këtu gati për t’ju mbështetur dhe për t’ju dhënë informacionin e duhur në çdo hap.
Për t’ju rikthyer edhe pak rrugëtimit tim në botën e fitnessit dhe të jetuarit shëndetshëm. Nuk u desh shumë kohë që të mësohesha dhe të filloja ta dashuroja palestrën. Mezi e prisja ditën që do të shkoja. Siç ju thashë edhe më sipër, palestrat në atë kohë nuk ishin kaq të shpeshta sa sot, përkundrazi, mezi i gjeje nëpër Tiranë, prandaj unë merrja autobuzin, udhëtoja tre stacione nga shtëpia, për të arritur në palestër, por nuk më intersonte. Kisha filluar ta dashuroja atë që po bëja. Ndryshimet e para në trup po ndiheshin dhe kjo reflektohej edhe në mendjen dhe humorin tim. Ndihesha më e lumtur dhe më dukej sikur e doja më shumë veten time. Dhe kjo ishte arsyeja që më bëri të vazhdoja me vullnet dhe vendosmëri për plot 16 vite. Në fillimet e stërvitjes time padyshim që edhe unë kisha pasiguritë, dyshimet, frikërat e mia, një pjesë e madhe e të cilave vinin nga mungesa e informacionit. Cfarë të bëj? Nga t’ja filloj? Cili është programi i përshtatshëm për mua? Do arrij të dobësohem sa duhet? Po muskuj do krijoj? Për shumë vite kam bërë vetem aerobi, pistë, step, bicikletë, zumba, aktivitete që shiheshin si më femëroret, ose ndryshe: stërvitje për goca. Vitet e fundit, duke qenë se dhe informacioni është shtuar ndjeshëm, fillova të mësoj dhe të kuptoj që peshat nuk janë ekskluzivitet vetem i djemve, përkundrazi, janë një ndër format më të mira dhe efektive të stërvitjes nëse do të shikosh rezultat, sidomos nëse do definim dhe ndërtim muskuli. Peshat nuk të bëjnë #siburrë, peshat të bëjnë të dukesh seksi, të kesh më shumë vetbesim dhe t’i bësh të gjithë t’i kenë sytë tek ti. Dhe kjo është ajo që duam të bëjmë me ju këtu tek “Në formë me Aulonën”. Duam t’ju bëjmë të zbuloni versionin më të mirë të vetes tuaj, gradualisht, hap pas hapi, duke patur gjatë gjithë kohës mbështetjen dhe përkrahjen tonë. Unë mezi po pres të nisim sëbashku këtë rrugëtim që do t’ju përmirësojë jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht dhe shpirtërisht. Jeni gati për të nisur sfidën që do të ndryshojë jetën tuaj? Le të fillojmë…

Ndryshimi fillon tani

Ti e di që duke ndenjtur ulur, duke qarë e duke u ankuar nuk do ndryshosh asgjë. Dil para pasqyrës…dhe nëse nuk të pëlqen ajo që shikon fillo ndryshimin. Tani!

Gjej mënyrën e duhur

Nuk ka rendesi, ku, kur apo si stërvitesh. Gjej mënyrën më të përshtatshme për ty. Nëse do të përmirësohesh, nuk ka pengesë që duhet të vendoset mes teje dhe dashurisë për veten.

Provo tani planin 8-Javor

Stërvitu në shtëpi!