Para dy ditësh më kishte vajtur mendja keq për një hamburger. Po keq fare aman. Kështu që improvizova dhe përgatita një hamburger në kushte shtëpia, që ishte jo vetëm super i shijshëm, por mbi të gjitha i shëndetshëm, por dhe pa shumë kalori.
Përbërësit për një hamburger
– Gjysmë patate e ëmbël
– 1 qofte për hamburger, ose qofte shtëpie
– Cerek avocado
– 1 lugë kos
– 1 fletë sallatë jeshile
– Qepë e kuq
– 1 thelpi hudhër
– Kripë, piper
– Gjysmë patëllxhani
Përgatitja
Presim pataten e ëmbël në dy copa rrethore (si forma e bukës së hamburgerit) dhe i vendosim në një tavë. Në të njëjtën tavë vendosim edhe patëllxhanin, të cilin e presim në rripa të hollë.I fusim në furrë dhe I lëmë për 25-30 minuta. Nëse nuk e kemi të përgatitur që më parë, vendosim qoften në një tigan me një lugë caji vaj ulliri. I hedhim kripe dhe piper. E lëmë për 5-6 minuta nga secila anë. Gjatë kësaj kohe përgatisimin salcën. Në një tas hedhim avocado dhe e shtypim me pirunë, I shtojmë kosin dhe hudhrën dhe I përziejmë së bashku. Kur patatet të jenë pjekur I heqim nga furra. Vendosim qoften mbi njërën prej patateve. E lyejmë sipër me salcën. Vendosim sallatën jeshile dhe sipër saj qepën. E mbyllim hamburgerin me pjesën tjetër të patates. E shoqërojmë anash me patëllxhanat e pjekur. Ju bëftë mirë.