Në kaq shumë vite që merrem me fitness, si passion, e gradualisht duke e shndërruar edhe në profesion, kam vënë re që edhe pse informacion ka shumë, sërish ka mjaft paqartësi dhe pyetje. Shumë prej këtyre pyetjeve ju m’I drejtoni edhe mua, prandja unë kam seleksionuar prej pyetjeve më të shpeshta dhe I kam dhënë përgjigje më poshtë.
Si të dobësohem?
Kjo pyetje mban absolutisht vendin e parë. Ti japësh përgjigje është sa e thjesht, aq edhe e vështirë në të njëjtën kohë. Nëse do të dobësohesh atëherë duhet të mbash regjim të shëndetshëm e të rregullt ushqimor, si dhe të kryesh aktivitet fizik. Rrugë tjetër nuk ka. Ose ka, por do të jetë afatshkurtër. Nuk ekziston asnjë pilulë magjike, asnjë makineri çudibërse që do t’ju dobësojë si me magji. Padiskutim që ekzistojnë produkte, apo trajtime që ndihmojnë në dobësim, apo tonifikim, ama nëse nuk kombinohen me ato që përmenda më sipër, rezultati do të jetë shumë I shkurtër dhe jo I plotë.
Nëse do të dobësohesh, duhet të kalosh në kalori defiçit. Çfarë do të thotë kjo? Që nr i kalorive që konsumon të jetë më i vogël se sa ai i kalorive që shpenzon. Si ta llogaritësh këtë? Ka faqe në internet që me anë të disa llogarive të thjeshta të tregojnë nivelin e kalorive ditore që I duhen trupit tënd. Psh, nëse ty të duhen 1800 kalori ditore për të ruajtur peshën që ke, atëherë nëse do të dobësohesh, duhet të marrësh më pak se 1800 kalori. Duket e komplikuar, por nuk është dhe aq. Sa t’ja marrësh dorën…
Si të shëndoshem?
Mund t’ju duket e çuditshme, por po aq e shpeshtë është edhe pyetje: Si të shëndoshem. Epo, është po aq e thjeshtë dhe e vështirë, sa pyetja si të dobësohem. Dhe përgjigjia është po e njëjtë: ushqim dhe palestër. Vetëm se këtë herë nga karbohidratet nuk duhet të hiqni dorë, por duhet t’I shtoni, ama në mënyrë të shëndetshme, asnjëherë duke abuzuar në mënyrë që ajo që shtoni të jetë masë muskulare dhe jo dhjam.
Thonë më shkurt dhe qartë, nëse doni të shëndosheni duhet të shtoni dozën e kalorive ditore. Kjo bëhet duke llogaritur sa kalori harxhon organizmi juaj në ditë (siç është thënë edhe tek pika 1, ka faqe të ndryshme në internet që e llogarisin këtë) në mënyrë që numri I kalorive që konsumoni të jetë më I madh se sa ai I kalorive që harxhoni. Kështu nëse trupi juaj ka nevojë për 2000 kalori në ditë për të ruajtur peshën që keni, atëherë nëse doni të shtoni peshë, ju duhet të konsumoni më shumë se 2000 kalori. Por po ashtu, këtë duhet ta shoqëroni edhe me aktivitet fizik në mënyrë pesha që shtoni të jetë masë muskulare dhe jo dhjamore.
Si të “heq” barkun?
Përpara se t’I përgjigjem pyetjes, e kam shumë të rëndësishme t’ju them dicka e cila mendoj se ka shumë vlerë. Dhjami në zonën e barkut nuk është thjesh një çështje estetike, dukesh bukur apo jo. Të paturit e një mase të madhe dhjamore në zonën e barkut, do të thotë dyfish rrezikshmëri sa I përket sëmundjeve si: Tipi 2 i diabetit, apo problemet e zemrës. Kështu që eleminimin e dhjamit në zonën e barkut, mos e shikoni vetëm si një arsye për t’u dukur më bukur, por edhe për t’u ndjerë më mirë dhe për të ulur rrezikun e prekjes nga disa sëmundje.
Thënë kjo, barkun mund ta “heqësh” së pari duke treguar kujdes në kuzhinë. Ndiq një regjim të shëndetshëm ushqimor, pa sheqer, pa brumra, me pak karbohidrate (vetëm ato të mirat), me shumë perime, fruta dhe proteinë dhe do të nisësh të shohësh rezultat që në ditët e para.
Së dyti, fillo aktivitetin fizik. Duhet të dini që nuk mjafton vetëm të bëni ushtrime barku. Edhe nëse bëni ushtrime barku përditë, kjo nuk do të thotë që do të reduktoni dhjamin në zonën e barkut. Ushtrimet e barkut padyshim që janë të mira, ama ajo që duhet të bëni është të rrisni sasin e cardios (ushtrime aerobike, crossfit, vrap, biçikletë, etj). Më shumë cardio, shoqëruar dhe me ushqim të shëndetshëm do të thotë kile më pak, e rrjedhimisht bark më I sheshtë.
Kur të stërvitem në mëngjes, apo në darkë?
Fiksojeni mirë: nuk ka rëndësi kur stërvitesh, rëndësi ka të stërvitesh! Në mëngjes, drekë, mbasdite, darkë, gjej 30 deri në 60 minuta kohë për veten dhe stërvitu! Është kaq e thjeshtë!
A hiqet celuliti në palestër?
Celuliti hiqet në palestër, por edhe nuk hiqet. Përgjigje zhgënjyese, apo jo? E di, por nuk kam çfarë të bëj. Ky është realiteti. Celuliti është një nga problemet dhe shqetësimet më të mëdha që kanë vajzat dhe gratë, prandaj do t’i dedikojmë një artikull të tërë vetëm kësaj teme. Ama duhet të dini që aktiviteti fizik, sidomos ai aerobic/kardio ndihmojnë shumë në reduktimin e celuliti. Ama një factor po aq I rëndësishëm në krijimin, reduktimin, apo eleminimin (edhe pse asnjëherë të plotë) të celulitit luan edhe ushqimi. Hiqni dorë nga ushqimet e proçesuara, nga sheqeri, nga fast foodi, bëni aktivitet fizik dhe do të shikoni që celuliti juaj do të përmirësohet ndjeshëm. Sa për t’u zhdukur plotësisht, më vjen keq por kjo është thuajse e pamundur.
Kur është mirë të hash para, apo pas palestre?
Mirë është të hash edhe para, edhe pas palestre. Një deri tre orë para palestre dhe 30 deri në 90 minuta pas palestre.
A të bën dem proteina e marr si suplement?
Jo, proteina nuk të bën dëm. Madje ajo shpesh rekomandohet për personat që merren me palestër, aktivitet fizik, apo sportistët, sepse te ndihmon si për të ndërtuar masë muskulare, ashtu edhe për t’u dobësuar. E rëndësishme është që të merret proteina e duhur, në vendin e duhur.