Pandemia e COVID-19 bëri të mundur që një pjesë e mirë e globit të izolohet në shtëpi dhe të heqë dorë nga çfarëdolloj aktiviteti tjetër fizik, përfshirë këtu edhe lëvizjen apo ecjen në distanca të gjata.
Shumica prej nesh kanë kaluar më shumë se 50 ditë në divanin e kuzhinës apo në shtrat duke parë TV, Netflix apo çfarë platforme tjetër për të vrarë kohën, pa e ditur se kjo po na dëmton rëndë shëndetin.
Po, e lexove saktë!
Sipas një studimi të kryer në bashkëpunim mes disa universiteteve në SHBA ka treguar se qëndrimi ulur apo shtirë para një ekrani televizori apo kompjuteri na ekspozon drejt variçeve apo siç njihet në gjuhën mjekësore, tromboembolizmi venoz.
Qëndrimi ulur për një kohë të gjatë mund të bëjë që në hapësira të caktuara të venave të formohen masa të mëdha rruazash të kuqe gjaku, duke penguar qarkullimin normal të gjakut në zona të ndryshme apo në të gjithë trupin. Si rezultat, formohen zona të errëta që dallohen me sy të lirë kryesisht në pjesën e këmbëve dhe belit apo siç i quajmë në zhargon, variçe. Variçet shkaktojnë ënjtje të asaj pjese të trupit ku formohen, dhimbje apo të kthehen në zona të errëta e në rastin më të keq, të çahen dhe gjaku të lëvizë drejt mushkërive duke shkaktuar embolizëm pulmonar e madje, mund të çojnë deri në vdekje.
Studimi përfshiu 29,767 persona, të cilët shpenzonin rreth 2-2.5 miliard orë duke parë TV dhe shfaqja e kësaj sëmundjeje ndodhi në 691 persona, të cilët varionin kryesisht nga mosha 45 në 64 vjeç.
Ata që kishin shenja obeziteti dhe shihnin TV shpesh ishin dy herë më të rrezikuar se pjesa tjetër. Nga ana tjetër, surprizuese ishte fakti që, edhe pjesëmarrësit aktivë fizikisht dhe që kishin kontroll mbi peshën e tyre trupore, por që shihnin TV shpesh ishin po aq të rrezikuar, madje rrezikshmëria herë-herë rritej të këta persona nga 1.71 herë në 1.8 herë.
Mësimet që nxjerrim nga ky studim janë dy: Të ulesh me orë të tëra për të përfunduar një serial apo një seri filmash apo siç quhet rëndomë tani “binge ëatching” të bën keq për shëndetin dhe për hir të këtij të fundit, ecja nuk duhet të nisë në kuzhinë e të përfundojë në dhomën e gjumit pasi ke marrë ndonjë patatinë për të shijuar sezonin e rradhës të La Casa de Papel (Ok, e di që shumica prej jush e keni përfunduar, por mjafton ideja).
Mundohuni të jini sa më aktivë fizikisht dhe jo vetëm. Gjeni kohën për t’u stërvitur, mjaftojnë 30 minuta në ditë për të bërë diferencën.
Dhe hiqni dorë nga të shikuarit me orë të tëra TV apo Netflix… fundja, mamatë tona nuk i gjeti gjë që shihnin nga një episod çdo ditë të Rubit apo Zhades.