Ti po dobësohesh, edhe pse peshorja nuk e tregon…

Cila është gjëja e parë që bëjmë çdo mëngjes në periudhëm që jemi në një regjim ushqimor apo dietë?

Shkojmë direkt te peshorja për të parë nëse numri është më i vogël a më i madh se dita paraardhëse. E nëse është më i vogël, motivohemi mjaftueshëm për të pasur një ditë më të mirë.

Por çfarë kuptimi ka pesha dhe matja e saj?

Kur flasim për humbje peshe apo dobësim nënkuptojmë në shumicën e rasteve një trup më të hollë, pa masa dhjamore e me forma të lakuara në zonën e belit, kofshëve, barkut apo krahëve. Ama, ajo që nuk dinit deri më tani është fakti që, dobësimi jo gjithmonë përkthehet në ca kg më pak.

Ekziston mundësia që të dobësohesh edhe pa parë ndryshim tek numrat në peshore. Pse?

Kjo ndodh kur humbasin masa dhjamore dhe në të njejtën kohë rrisim masën muskulare. Pesha juaj qëndron e njejtë, por ndërkohë forma jo. Të dish ndryshimin mes humbjes së peshës dhe humbjes së masës dhjamore mund të ndryshojë të gjithë pikëpamjen tuaj mbi ndryshimet në trupin tuaj.

Një peshore apo matës tregon peshën tuaj, por nuk tregon se sa kjo masë është muskul, dhjam, ujë, kocka apo organe.

Trupi i një bodybuilder-i mund të tregojë numra “të mëdha” në peshë, por kjo nuk nënkupton që ky trup është i tejngopur me masë dhjamore, apo mbipeshë. Njohuria mbi “përbërjen” e peshës suaj trupore është një informacion që duhet ta keni për të pasur rezultate sa më lehtë të arritshme.

Një tjetër arsye se pse peshorja e zakonshme shpesh herë ju gënjen është se pesha apo masa trupore ndryshon gjatë gjithë kohës. Kjo në varësi se sa ushqim ju konsumoni, kur konsumoni, kur shkoni në tualet apo sa ushtroheni në kohë të caktuar.

Fokusohuni në humbjen e masës dhjamore – jo të peshës totale!

Nëse fokusoheni në humbjen e masës dhjamore në trup, atëherë ju do të humbni një masë të tillë dhe do t’i jepni mesazhin organizmit tuaj se në të mungon masa dhjamore e si rrjedhojë, proçeset që do të pasojnë do të jenë për zëvëndësimin e saj me masë muskulare. E si pasojë, përbërja e trupit tuaj do të ndryshojë.

Nga ana tjetër, nëse ju fokusoheni vetëm në zvogëlimin e peshës trupore ju mund të humbni ujë ose edhe masë muskulore.

Kështu është e pamundur të dini nëse po shihni rezultate efektive apo vetëm produktin e zakoneve tuaja të përditshme, ndryshimeve hormonale apo ndryshimin e nivelit të hidratimit.

Ja si mund t’ju gënjejë peshorja:

– MAT GJITHÇKA: Numrat në peshore përfshijnë muskujt, masën dhjamore, kockat, ushqimin dhe ujin.

– NUK REFLEKTON NDRYSHIMET: Nëse po bëni kardio dhe ushtrime me pesha, ju po ndërtoni muskuj dhe po humbni dhjam. Si rrjedhojë, numri i peshës suaj nuk ndryshon sepse si sasi ajo nuk ndryshon, por vetëm si cilësi.

– NUK REFLEKTON SHËNDETIN TUAJ: Peshorja nuk tregon dot diferencën mes muskulit dhe dhjamit. Që domethënë, një person mund të ketë një peshë të vogël, por nivele të pashëndetshme dhjami.

– NUK ËSHTË NJË MATËS POZITIV: Nëse ngjitesh në peshore dhe numrat aty nuk të gëzojnë, si ndihesh? Kjo mund të të bëjë të vësh në dyshim gjithçka që ti po bën për veten tënde. Fokusi në peshë mund të vërë në hije rezultatet positive që po merr nga ushtrimet dhe dieta ushqimore si humbja e dhjamit, rezistenca më e lartë dhe nivelet më të larta të energjisë.

Mateni suksesin në një mënyrë tjetër.

Kur nisni një program të ri dobësimi apo shtimi në peshë, mund t’ju duhet dhënie extra kurajoje që të vazhdoni në rrugën tuaj. Peshorja, jo vetëm që nuk është e vetmja, por edhe mund të bëjë të kundërtën e asaj që ju kërkoni.

Konsideroni këto metoda:

– Vëreni se si ju rrinë rrobat: Nëse veshjet ju rrinë më të lira, atëherë jeni në rrugën e duhur.

– Mateni vetë veten tuaj: Duke matur trupin tuaj në pjesë të caktuara dhe në momente të caktuara mund t’ju ndihmojë të kuptoni nëse po humbni masë dhjamore apo jo.

– Përdorni peshore që mat masën dhjamore: Peshoret që e bëjnë këtë të fundit me rezistencë bioelektrike janë të duhurat për të matur se sa masë dhjamore ju po humbni. Kjo lloj peshoreje mat vetëm shtresën dhjamore dhe jo pjesë të tjera.

– Përdorni një makinë llogaritëse online: Nëse mateni dhe kryeni matjet shpesh me të njëjtin mjet llogaritës mund të shihni nëse masa dhjamore po ulet apo jo.

– Vendosni qëllime: Në vend që të shqetësoheni nëse po humbni apo jo, ose pse nuk po humbni masë a peshë vendosni një qëllim dhe punoni derisa të arrini në atë numër.

Nëse peshorja po ju bën si të “çmendur” pas numrave të saj, bëni pak pushim nga peshimi i vetes dhe hidhini sytë drejt mundësive të tjera. Pesha juaj nuk është i vetmi matës i suskesit tuaj. Lëreni peshoren diku që nuk e shihni dhe kuptoni se sa shumë keni arritur.

 

Shporta
Identifikohu

S'keni ende një llogari?

Llogaria ime